Me të vërtetë që Manchester City gjendet përpara një rreziku të madh që i kanoset.
Pikërisht klubi nga stadium “Etihad” përballet me një zbritje prej deri 60 pikësh! Përse?
Po thjesht, nëse do të dilte fajtor për 115 akuza për shkelje të “Fair Play”-t financiar. Kjo telenovelë në fakt ka zgjatur për disa vite, me një vendim përfundimtar që ende pritet.
Mirëpo sipas faqes “Goal.com”, duke ditur që Premier Liga nuk mund ta rrëzojë Sitin direkt nga kategoria, ka spekulime publike rreth rezultateve të mundshme.
Akuzat për keqpërdorime financiare kanë qenë pezull mbi Cityn që nga fillimi i vitit 2023, pas një hetimi të gjatë. Një seancë dëgjimore e pavarur përfundoi në fund të vitit 2024, por ka kaluar më shumë se një vit pa një vendim përfundimtar. Pasiguria nuk i përshtatet askujt, pasi Siti këmbëngul në pafajësinë e tyre.
Një tjetër sezon mund të ketë mbaruar para se të dihet rezultati, ndërsa skuadra e Pep Guardiolës ndjek më shumë trofe. Eksperti i financave të futbollit, Kieran Megujr, shpjegoi pse procesi po zgjat kaq shumë. “Vlerësohet se si prokuroria ashtu edhe mbrojtja kanë paraqitur rreth gjysmë milioni prova.
Seanca dëgjimore përfundoi në dhjetor 2024 dhe që atëherë kanë kaluar 14 muaj pa asnjë lajm. Duke pasur parasysh raste të ngjashme mashtrimi, mendoj se ndoshta jemi në fazat përfundimtare të një vendimi”, deklaroi fillimisht ai.
“Mendoj se një pjesë e problemit është se paneli i gjyqtarëve përbëhet nga tre persona me gradë shumë të lartë që marrin vendimin përfundimtar. Është jashtëzakonisht e vështirë të koordinohen oraret e tyre dhe kjo e ka vonuar çështjen.
Vendimi duhet të merret në muajt e ardhshëm, por ne e kemi dëgjuar tashmë këtë,
Sipas kuptimit tim, si Premier Liga, edhe klubi i Sitit do të njoftohen për vendimin 24 orë më parë në mënyrë që avokatët e tyre të mund të kontrollojnë të gjitha detajet. Kush e di, mund të jetë edhe ditën e finales së Kupës së Botës”, përfundoi ai.