Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, shprehu besim në aftësinë e Meksikës për të pritur disa ndeshje të Kupës së Botës 2026, pavarësisht valës së dhunës në vend të lidhur me vdekjen e bosit të drogës Nemesio ‘El Mencho’ Oseguera.
Duke folur për mediat gjatë një eventi të organizuar nga Federata Kolumbiane e Futbollit, Infantino tha: “Jam shumë i qetë dhe ju siguroj të gjithëve se gjithçka po shkon shumë mirë.
Gjithçka do të jetë fantastike”.
“Kemi besim të plotë në Meksikë“, shtoi ai, duke thënë se: “Jam në kontakt të rregullt me autoritetet lokale dhe po monitorojmë situatën“.
Edhe presidentja e vendit, Claudia Sheinbaum, përjashtoi çdo rrezik për tifozët e futbollit që udhëtojnë për në Guadalajara, duke thënë se të gjitha garancitë e sigurisë do të jenë në maksimum.
Përveç katër ndeshjeve të Kupës së Botës, Meksika do të presë ndeshjet eliminatore në mars për të përcaktuar dy nga ekipet pjesëmarrëse.