Real Madridi në alarm

- Bota Sot

Real Madridi në alarm

Real Madridi do të kërkojë të rikthehet te fitorja pas humbjes së bujshme në LaLiga, e cila i kushtoi kreun e renditjes.

Të hënën, madrilenët do të presin në shtëpi Getafen, në një sfidë ku objektivi i vetëm është rikthimi te tri pikët dhe reagimi i menjëhershëm.

Megjithatë, “Los Blancos” rrezikojnë të zbresin në fushë pa ‘yllin’ e tyre kryesor, Kylian Mbappe.

Sulmuesi francez vazhdon të jetë në dyshim për shkak të një problemi të bezdisshëm në gju, që e ka detyruar të ndalet. Mbappé, i cili kryeson renditjen e golashënuesve me 23 gola në kampionat, mungoi edhe në fitoren 2-1 të së mërkurës ndaj Benfica-s, sukses që i siguroi Realit kualifikimin në fazën e 1/8-ave të UEFA Champions League.

Sulmuesi ishte titullar fundjavën e kaluar në Pamplona, por madrilenët u mposhtën 2-1 nga Osasuna, një humbje që tronditi ambientin në “Santiago Bernabéu”.

Pikërisht kjo disfatë i hapi rrugë Barcelonës të përfitojë në garën për titull, duke rritur presionin mbi rivalët e përjetshëm.

Nga ana tjetër, katalanasit do të përballen këtë fundjavë me Villarrealin në një sfidë delikate, vetëm pak ditë para se të tentojnë një përmbysje të madhe për të mbajtur gjallë mbrojtjen e titullit në ‘Copa del Rey’.

Në Madrid, vëmendja mbetet te gjendja e Mbappé-së. Rikuperimi i tij do të jetë vendimtar jo vetëm për ndeshjen ndaj Getafes, por edhe për ambiciet e klubit në javët vendimtare të sezonit.



Read it all at Bota Sot