Halili vlerëson rikthimin e Orges Shehit

- Bota Sot

Halili vlerëson rikthimin e Orges Shehit

I ftuar në emisionin “Sport Focus”, gazetari sportiv Erjon Halili analizoi fazën vendimtare të kampionatit shqiptar, ku beteja zhvillohet njëkohësisht për titullin në formatin “Final Four” dhe për mbijetesën.

Halili u ndal fillimisht te Tirana, që sipas tij ka ndryshuar ndjeshëm ritëm në vitin 2026 dhe është rikthyer fuqishëm në garë për mbijetesë. Rikthimi i Orges Shehit në pankinë shihet si lëvizja kyçe në këtë moment delikat.

“Është një trajner që e njeh kampionatin dhe di si menaxhohen situata të tilla. Tirana ka marrë pikë dhe ka reaguar në kohë.”- tha ai.

Sipas tij, problemet e bardhebluve nuk lidhen me financat, por me menaxhimin dhe ndërtimin e skuadrës, sidomos në merkaton e verës dhe afrimet e shumta në janar.

Në fundin e tabelës, Halili sheh Bylisin dhe Vorën si skuadrat më të rrezikuara. Vora, që ishte surpriza e fazës së parë, po ndien presionin e mbijetesës, ndërsa mungesa e eksperiencës mund të ndikojë në javët e fundit.

Në garën për titull, Vllaznia shihet si favorite. Rezultatet në ndeshjet direkte ndaj rivalëve i japin një avantazh moral në prag të “Final Four”.

“Vllaznia ka krijuar autoritet ndaj kundërshtarëve direkt dhe kjo peshon në ndeshjet vendimtare. Egnatia mbetet aty, sepse ka lojtarë që dinë si fitohet titulli.”-shtoi Halili.

Për vendin e katërt në “Final Four”, beteja mbetet mes Dinamos dhe Partizanit.

Halili vlerëson eksperiencën e Ilir Dajës si faktor që mund të rikthejë Dinamon në stabilitet, pavarësisht problemeve të brendshme që kanë shoqëruar sezonin.

Sprinti final pritet të japë përgjigjet për titullin dhe mbijetesën, në një nga sezonet më të hapura të viteve të fundit.



Read it all at Bota Sot