Komisioni Evropian i drejtohet OLAF-it për të hetuar Peter Mandelson pas zbulimeve për lidhjet me Jeffrey Epstein

- Bota Sot

Komisioni Evropian i drejtohet OLAF-it për të hetuar Peter Mandelson pas zbulimeve për lidhjet me Jeffrey Epstein

Komisioni Evropian ka paraqitur një kërkesë pranë Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), me qëllim shqyrtimin e shkeljeve të mundshme të rregullave nga ana e Peter Mandelson, pas zbulimeve për marrëdhëniet e tij me amerikanin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i Komisionit Evropian 

72-vjeçari britanik ka shërbyer si Komisioner i BE-së nga viti 2004 deri në vitin 2008. Autoritetet në Bruksel synojnë të verifikojnë nëse ai ka shkelur kodin e etikës që zbatohet për zyrtarët e Komisionit, si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe pas përfundimit të mandatit të tyre.

Peter Mandelson, një figurë qendrore e skenës politike britanike dhe ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, është vënë në qendër të një skandali pas publikimit të dokumenteve të reja që hedhin dritë mbi raportet e tij me Epstein. Ish-ministri u arrestua të hënën nga policia britanike, por më pas u lirua me kushte.

Sa i përket dimensionit evropian të çështjes, Komisioni kërkon të sqarojë nëse ka pasur shkelje të “detyrimeve” nga ana e ish-Komisionerit, përfshirë respektimin e konfidencialitetit dhe nëse ai ka pranuar dhurata apo ka ofruar “favore”.

OLAF konfirmoi se kërkesa i është paraqitur nga Komisioni më 18 shkurt dhe se aktualisht po e shqyrton atë, pa nënkuptuar domosdoshmërisht se është hapur një hetim formal ndaj Mandelson.

Në Britani, qeveria ra dakord sot me policinë për një kuadër mbi bazën e të cilit do të publikohen dokumente lidhur me emërimin e Mandelson, në vitin 2024, si ambasador në SHBA.

Komisioni për Inteligjencën dhe Sigurinë bëri të ditur se aktualisht po mblidhet material nga Zyra e Kabinetit dhe shpresohet që një pjesë e këtyre dokumenteve të bëhen publike së shpejti.



Read it all at Bota Sot