Mesfushori ka kontratë deri në qershor me kuqezinjtë, ndërsa opsionin për ta zgjatur edhe për një sezon e ka në dorë vetëm ai.
Luka Modriç, pavarësisht moshës, është një titular i palëvizshëm te Milani, ku numëron 2144 minuta dhe 28 ndeshje mes kampionatit, Kupës së Italisë dhe Superkupës. Ai ka treguar se ka ende për të dhënë në fushën e blertë dhe jashtë saj.
Mesfushori erdhi nga Real Madrid me parametra zero verën e kaluar.
Shumë ishin skpetikë për gjendjen fizike të tij, por në pak kohë ai i heshti të gjithë dhe tani “Djalli” kërkon ta shijojë kampionin e vet edhe për një sezon tjetër.
Modriç ka firmosur një kontratë njëvjeçare, me akordin e zgjatjes edhe për një vit tjetër.
Por kjo klauzolë mund të aktivizohet vetëm nga vetë lojtari, prandaj dhe në Milanello kanë filluar manovrat për ta bindur kroatin të qëndrojë.
Trajneri, stafi dhe lojtarët po i bëjnë “presion” mesfushorit për të rinovuar.
Luka ka thënë gjithmonë se në Milano ndihet shumë mirë.
Në fund të kampionatit ai do të marrë një vendim, ndoshta para Botërorit të tij të 5-të. Në vendimin e tij do të ndikojnë shumë gjendja fizike dhe kualifikimi për Championsin e sezonit tjetër. Siç bindën portierin Maignan të rinovojë, ashtu do të përpiqen të bëjnë kuqezinjtë edhe me Modriç.