Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vendosur të ecë përpara me zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Europian dhe vendeve të bllokut Mercosur, një lëvizje që ka shkaktuar ndarje të forta politike brenda institucioneve europiane dhe mes shteteve anëtare.
Vendimi konsiderohet një “bast politik” i rëndësishëm nga ana e Komisionit Europian, i cili mbështetet në parashikimin se përfitimet ekonomike të marrëveshjes do të tejkalojnë ndikimet negative, veçanërisht për sektorin bujqësor europian, raporton The Guardian.
Legaliteti i marrëveshjes aktualisht pritet të shqyrtohet nga European Court of Justice, proces që mund të zgjasë deri në dy vite. Deri atëherë, efektet reale ekonomike të marrëveshjes pritet të jenë të dukshme.
Fermerët europianë, sidomos në sektorët e drithërave, mishit të viçit dhe shpendëve, kanë paralajmëruar se mund të shndërrohen në “dëm kolateral” për shkak të rritjes së konkurrencës nga importet më të lira të Amerikës së Jugut.
Strategjia e Komisionit mbështetet në idenë se nëse ndikimi negativ rezulton i kufizuar dhe tregtia gjeneron rritje ekonomike, atëherë do të bëhet politikisht më e vështirë për Parlamentin Europian të refuzojë marrëveshjen në një fazë të mëvonshme.
Mbështetje nga Komiteti i Tregtisë në PE dhe kritikat e eurodeputetëve
Kryetari gjerman i Komitetit të Tregtisë në Parlamentin Europian, Bernd Lange, ka mbështetur vendimin për zbatim të përkohshëm, duke argumentuar se BE-ja duhet të sigurojë stabilitet dhe parashikueshmëri ekonomike në një periudhë kur rregullat ndërkombëtare të tregtisë po sfidohen gjithnjë e më shpesh.
Sipas tij, përfitimet ekonomike të marrëveshjes duhet të materializohen menjëherë dhe jo të shtyhen për shkak të proceseve të gjata institucionale.
Megjithatë, vendimi ka hasur kundërshtime të forta. Eurodeputetja irlandeze Maria Walsh e cilësoi lëvizjen e Komisionit si të pritshme, por zhgënjyese, duke theksuar se referimi i marrëveshjes në Gjykatën Europiane nuk e ndaloi hyrjen e saj në fuqi, por vetëm ndryshoi procedurën.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron tha se vendimi i komisionit ishte “një surprizë e keqe” dhe e konsideroi atë “mungesë respekti” ndaj Parlamentit Evropian.
Ajo paralajmëroi se zbatimi i përkohshëm rrit pasigurinë për sektorin bujqësor europian dhe dobëson bashkëpunimin institucional mes Parlamentit dhe Komisionit.
Pas ratifikimit nga Argjentina dhe Uruguai, Komisioni Europian ka nisur procedurat diplomatike për aktivizimin e marrëveshjes. Sipas zëdhënësit të tregtisë së Komisionit, procesi teknik mund të zgjasë rreth dy muaj.
Nëse shkëmbimi formal i dokumenteve diplomatike përfundon në javët në vijim, marrëveshja Mercosur mund të hyjë në zbatim të përkohshëm që në muajin maj, duke hapur tregun europian për produkte të reja, përfshirë mishin e viçit nga Amerika e Jugut.