Mohojnë kontaktet me Barcelonën

- Bota Sot

Mohojnë kontaktet me Barcelonën

Fushatat presidenciale te Barcelona shpesh shoqërohen me spekulime të bujshme rreth transferimeve dhe këtë vit në qendër të vëmendjes është vënë emri i Harry Kane si një përforcim i mundshëm për verën.

Favoriti Joan Laporta e fitoi mandatin e tij të parë duke premtuar afrimin e David Beckham, ndërsa të dytin duke premtuar rinovimin e kontratës së Lionel Messi.

Së fundmi, kandidati presidencial Xavier Vilajoana deklaroi se kishte qenë në kontakt me rrethin e Kane për një transferim të mundshëm, duke theksuar se profili i tij i përshtatet stilit të lojës së Barcelones dhe nevojave në repartin ofensiv.

Megjithatë, raportimet e fundit hedhin dyshime mbi këto pretendime.

Gazetari Christian Falk ka bërë të ditur se sulmuesi anglez nuk është kontaktuar nga askush i Barcelones.

Agjenti i tij, Charlie Kane – i cili është edhe vëllai i lojtarit – si dhe babai i tyre që bashkëpunon në menaxhimin e karrierës, nuk janë në dijeni të ndonjë oferte apo kontakti zyrtar.

Nga ana tjetër, drejtori sportiv Deco ka konfirmuar se Barcelona synon të afrojë një sulmues gjatë verës, por pa zbuluar objektivin kryesor.

Në listën e alternativave janë përmendur edhe emra si Julian Alvarez i Atletico Madridit, megjithëse një marrëveshje e tillë duket financërisht e vështirë, si dhe Dusan Vlahovic i Juventusit, që shihet si mundësi më e arritshme nëse hapet rruga për një largim.

Ndërkohë, Bayernit nuk i intereson të humbasë shërbimet e Kane, teksa bisedimet për rinovimin e kontratës vazhdojnë. 33-vjeçari mbetet një nga sulmuesit më të kompletuar në qarkullim, ndërsa Barcelona ka treguar edhe më parë se është e gatshme të investojë te një “9” me eksperiencë, siç ndodhi me afrimin e Robert Lewandowskit.



Read it all at Bota Sot