Norvegjia arreston një 17-vjeçar që po planifikonte sulm terrorist ndaj një baze të NATO’s, në shkollë ishte parë me flamurin e ISIS’it
Norvegjia ka arrestuar një 17-vjeçar që dyshohet se po planifikonte një sulm terrorist i frymëzuar nga xhihadizmi për të bombarduar një objekt të NATO-s në vendin skandinav, raportoi të premten transmetuesi norvegjez NRK.
Sipas NRK-së, i dyshuari, i lindur në Norvegji, kishte shprehur mbështetje për grupin Shteti Islamik dhe ishte parë në shkollë me flamurin e grupit.
Ai u arrestua nga shërbimi i sigurisë së brendshme të Norvegjisë, PST, i cili është përgjegjës për luftën kundër terrorizmit, përpara se të merrej në paraburgim të përkohshëm për dy javë të premten.
PST konfirmoi për AFP-në se kishte kryer arrestimin.
“Ai dyshohet sipas nenit të Kodit Penal që lidhet me përgatitjen e një akti terrorist”, tha Line Nyvoll Nygaard, një zyrtare e lartë e agjencisë.
Duke cituar “hetimin në vazhdim”, një zëdhënës i PST-së refuzoi të komentonte më tej.
Avokati i të riut, Knut Lerum, i tha AFP-së se i dyshuari i mohon akuzat.
NRK citoi dokumente të PST-së sipas të cilave adoleshenti planifikonte të shpërthente eksplozivë në Qendrën e Luftës së Përbashkët të NATO-s në Jåttå, Stavanger, në jugperëndim të Norvegjisë.
E themeluar në vitin 2003, qendra është e përfshirë në trajnimin e oficerëve të lartë të aleancës, të udhëhequr nga SHBA, si dhe në organizimin e stërvitjeve ushtarake.
Adoleshenti u arrestua në rajonin jugperëndimor të Rogalandit, ku ndodhet Stavanger.