Andi Lila ka besim se Kombëtarja shqiptare do ta kalojë Poloninë në “Play Off”-in e Botërorit dhe do të shfrytëzojë shanset e saj për të prerë biletën për eventin madhor të këtij edicioni
Në një reagim për “FSHFtv”, ish-mbrojtësi kuqezi e konsideron shumë të rëndësishme ndeshjen e parë.
“Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme nga ana psikologjike dhe sa i përket moralit që marrin futbollistët. Kam shumë besim që do ta kalojnë.
Do doja shumë që të paktën gjenerata ime të shkojë për herë të parë në Europian.
Do doja shumë që brezi ynë, sa jemi gjallë, ta shikonte ekipin kombëtar në kampionatin botëror”, shprehet Andi Lila, ish-mbrojtës i Kombëtares.
Pavarësisht se këtë skuadër e vlerëson maksimalisht për rritjen që ka pasur gjatë këtyre viteve, 40-vjeçari nuk e ndërron me Kombëtaren ku ka luajtur vetë.
“Nga koha ku isha unë si futbollist deri tani, Kombëtarja shqiptare është rritur për sa i përket pjesës organizative. Kam luajtur me lojtarë jashtëzakonshëm, si Lorik Cana, Etrit Berisha, Hysaj, Agolli, plejadë futbollistësh që unë e konsideroj veten me fat që kam qenë dhe kam luajtur me ta”, tha Lila.
Andi Lila është aktivizuar 70 ndeshje me fanellën kuqezi dhe ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të Kombëtares së De Biazit që u kualifikua në Europianin e vitit 2016.