Antoine Semenyo u shpreh i lumtur pasi realizoi golin që i dha fitoren minimale Manchester Cityt në përballjen ndaj Leeds Unitedt, të shtunën mbrëma.
City triumfoi 1:0 në udhëtim, me golin e Semenyo-s të shënuar pak para përfundimit të pjesës së parë, duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për titull.
“Po, padyshim që kam parë ndryshim në mentalitet,” deklaroi ai pas ndeshjes.
“Gjithçka nis në stërvitje çdo ditë – qoftë në ushtrimet e pasimeve apo në posedim.
Është vëmendja ndaj detajeve. Të gjithë janë të fokusuar maksimalisht dhe kjo reflektohet më pas në ndeshje. Secili dëshiron vetëm fitoren”, theksoi Semenyo.
Ai theksoi se përkushtimi në detajet e vogla dhe përgatitja fizike kanë ndikuar drejtpërdrejt në formën e skuadrës.
“Të gjithë janë shumë të përqendruar dhe ndryshimi në mentalitet është i jashtëzakonshëm. Kujdesi për detajet dhe të qenit në formë optimale bëjnë diferencën,” shtoi ai.
Sulmuesi shpjegoi edhe festimin e tij pas golit, ku simuloi një “kitarë ajrore”.
“Disa miq më thanë të bëja diçka argëtuese. Ishte gjëja e parë që më erdhi në mendje.
Një kitarë e bukur, performancë e mirë dhe tifozët e pëlqyen,” tha ai me buzëqeshje.
Me këtë fitore, Manchester City afrohet në vetëm dy pikë nga kreu i tabelës, ku prin Arsenal FC.
“Kjo do të thotë gjithçka për ne. Duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet tona dhe për atë që bën Arsenali duhet të presim e të shohim. Ne duhet të kontrollojmë atë që është në dorën tonë,” përfundoi Semenyo.