Abilaliaj nuk e harron Partizanin

- Bota Sot

Abilaliaj nuk e harron Partizanin

Forma e mirë që po kalon Partizani në kampionat është komentuar edhe nga ish-drejtori sportiv i klubit kryeqytetas, Arbër Abilaliaj.

39-vjeçari u largua nga posti i tij pas humbjes në derbin kundër Tiranës, por sot me anë të një postimi në rrjetet sociale ai shkruan se skuadra kishte nevojë për kohë dhe se forma aktuale po është përgjigjja më e fortë për të gjithë ata që nxituan të gjykojnë, të sulmojnë dhe të hedhin baltë në momentet e para të vështira.

“Forma që po tregon sot Partizani është përgjigjja më e fortë për të gjithë ata që nxituan të gjykojnë, të sulmojnë dhe të hedhin baltë në momentet e para të vështira.

Në fillim u tha çdo gjë e mundshme. U vu në dyshim projekti, u kritikua çdo lëvizje, u paragjykua një grup i ri që sapo po ndërtohej. Por, harrohet shpesh se një skuadër nuk lind e gatshme-ajo formohet, piqet, kalitet në kohë. Ky ekip kishte nevojë për durim, për besim dhe mbështetje. Në vend të kësaj, disa zgjodhën zhurmën, sulmin dhe negativitetin.

Sot fusha po flet ndryshe. Sot loja, karakteri dhe shpirti i garës po tregojnë se puna serioze dhe uniteti janë më të fortë se çdo fjalë e hedhur në erë.

Ky është Partizani që lufton, që rritet nën presion dhe që nuk dorëzohet. Por rruga nuk mbaron këtu.

Ka ende shumë për tu bërë, shumë beteja përpara, shumë prova që kërkojnë qetësim dhe bashkim.

Urime Partizan! Vazhdoni me përulësi, me uri për fitore dhe me besim te njëri-tjetri. Vetëm të bashkuar-klub, skuadër dhe tifozë-arrihet madhështia. Suksese në vazhdim”, shkruan Abilaliaj në rrjetet sociale.



Read it all at Bota Sot