Rafael Leao është i lumtur që Milani ia doli që të merrte tre pikë ndaj Kremonezes.
Jo për të qëndruar në hapin e Interit kryesues që tashmë duket i pakapshëm me 10 pikë diferencë, por sepse ekipi vazhdon të jetë i shkëputur në vendin e dytë në klasifikim, në rrugën për të siguruar kthimin në Ligën e Kampioneve.
Ndaj sulmuesi portugez theksoi pas fitores për “DAZN” se rëndësia e derbit ndaj Interit në javën e ardhshme ishte për prestigjin dhe jo për pikët e diferencën që mund ët ngushtohej.
“Kemi objektivin e parë që ishte kthimi në Ligën e Kampioneve, po bëjmë një sezon të madh dhe kjo ishte një ndeshje thelbësore. Duhet ta mbyllim mirë, kundër Interit do të jetë një ndeshje tjetër, jo vendimtare për pikët por derbi është gjithmonë diçka personale.
Kemi respekt të madh për Interin, pasi është një skuadër e madhe, por do të luajëm për të bërë rezultat. Derbi është një ndjesi shumë e bukur për t’u luajtur, ndjehet shumë edhe jashtë Milanos. Të gjithë do të dëshironin të luanin ndeshje të tilla, për të fituar apo për të vdekur”, tha sulmuesi i Milanit.