Marco Reus do të vazhdojë aventurën e tij në Shtetet e Bashkuara, pasi ka zgjatur kontratën me LA Galaxy deri në dhjetor të vitit 2027.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga klubi i Major League Soccer, duke i dhënë fund çdo spekulimi mbi të ardhmen e 36-vjeçarit.
Që nga transferimi i tij nga Borussia Dortmundi në gusht 2024, Reus pati ndikim të menjëhershëm në MLS. Në sezonin e tij të parë, ai ndihmoi skuadrën të fitonte titullin kampion, duke treguar se cilësia dhe përvoja e tij mbeten në nivele të larta.
Drejtori i përgjithshëm i klubit, Will Kuntz, e vlerësoi maksimalisht kontributin e veteranit gjerman: “Marco ofron cilësi të jashtëzakonshme dhe lidership në skuadër. Profesionalizmi i tij motivon të gjithë lojtarët përreth.”
Me këtë rinovim, Reus dërgon një mesazh të qartë se, pavarësisht moshës, ai nuk e ka ndërmend të ndalet. Objektivi i tij është të fitojë trofe të tjerë me LA Galaxy dhe të vazhdojë të shkruajë kapituj të rinj në karrierën e tij të pasur në futbollin amerikan deri në fund të vitit 2027.