FC Kosova Dusseldorfit arriti një fitore të merituar për të mbetur pretendent serioz për një vend që dërgon në kualifikim për një ligë më të lartë.
Në përballjen ndaj VSF Amern, ndeshja ishte e luftuar nga të dyja ekipet, por në fund Kosova triumfoi me rezultat 2:1.
Goli i parë erdhi pas një asistimi të bukur nga futbollisti Egzon Zendeli për kapitenin Astrit Hyseni, i cili me qetësi realizoi për 1:0. Gjatë gjithë pjesës së parë, mysafirët nuk arritën ta rrezikojnë portën e Enea Koliqit.
Pak para përfundimit të pjesës së parë, Hyseni u faullua në zonë dhe arbitri akordoi penallti për vendasit. Zendeli mori përgjegjësinë, por portieri kundërshtar me një pritje akrobatike arriti ta ndalë goditjen.
Në pjesën e dytë loja ishte më e barabartë, por pas një kundërsulmi model, Zendeli realizoi golin e dytë për 2:0.
Në sekondat e fundit, mysafirët ngushtuan rezultatin nga pika e bardhë në 2:1, rezultat me të cilin edhe u mbyll takimi.
Me këtë fitore të rëndësishme, FC Kosova renditet në vendin e katërt në tabelë me 34 pikë, duke mbetur në garë për objektivat e sezonit.