Mesfushori i Real Madrid, Jude Bellingham, mund të mungojë më gjatë se sa pritej, pasi rikuperimi i tij nga lëndimi nuk po ecën me ritmin e parashikuar, raporton gazetari Alberto Pereiro.
Talenti anglez është jashtë fushave që nga lëndimi në kofshë që pësoi muajin e kaluar ndaj Rayo Vallecano.
Edhe pse së fundmi është parë duke u rikthyer në stërvitje individuale, Pereiro thekson se Bellingham nuk pritet të kthehet në aksion para mesit të prillit.
Mungesa e zgjatur e 22-vjeçarit e bën atë jo vetëm të humbasë dy përballet ndaj Manchester Cityt në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve, por edhe në dyshime për çerekfinalet në rast kualifikimi.
Që prej mungesës së tij, Arda Guler ka luajtur në pozitën e numrit 10 ndërsa “Los Blancos” janë edhe pa yllin tjetër, Kylian Mbappe – i cili pritet të jetë jashtë fushës për disa javë.
Përndryshe, Realin të hënën mbrëma e pret një sfidë e vështirë në shtëpi ndaj Getafes, ku nevojitet me patjetër fitorja për të vazhduar ndjekjen ndaj Barcelonës në garën për titull.