Kristjan Asllanit është bërë pjesë e Beshiktashit gjatë merkatos së dimrit, duke pranuar transferimin nga Seria A në kampionatin turk të futbollit. Një huazim nga Interi me të drejtën e blerjes nga klubi turk, që shpreson të kthehet në protagonist në luftën për titull që nga sezoni i ardhshëm.
Asllani ka luajtur pak ndeshje, vetëm 4 të tilla, por që tani në mediat turke ka nisur të flitet për të ardhmen e tij. Bëhet e ditur se te Beshiktashi janë të bindur për cilësitë që ka Asllani dhe do të dëshironin shumë që ta kishin pjesë të tyre në të ardhmen. Por paralelisht, klubi nuk ka ndër mend të shpenzojë 11 milionë eurot që janë në akordin e nënshkruar me Interin si klauzolë transferimi për të.
Mediat turke raportojnë se Beshiktashi do të kërkojë të ulet në tavolinën e bisedimeve me Interin për të ulur sa më shumë vlerën e klauzolës së Asllanit, duke shpresuar që të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të sigurojë gjatë verës përfundimisht lojtarin.
Një situatë që duket shumë e ngjashme me atë të Ernest Muçit, i kaluar në huazim pikërisht nga Beshiktashi në radhët e Trabzonsporit. Edhe në atë rast, Trabzonspori është gati të blejë futbollistin shqiptar, por dëshiron që të ulë klauzolën prej 8,5 milionë eurosh që i është vënë në kontratë, ndaj do të kërkojë bisedime me Beshiktashin për të negociuar vlerën.