Është përmbyllur me sukses kursi UEFA C në Durrës, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në rritjen dhe profesionalizimin e trajnerëve të futbollit në vend.
Në këtë edicion u diplomuan 25 trajnerë të rinj, mes të cilëve edhe 2 vajza, një tregues i qartë i përfshirjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të futbollit për të gjithë. Rritja e numrit të trajnerëve të kualifikuar dhe përfshirja e vajzave në programe të tilla formimi mbetet një prioritet në strategjinë e zhvillimit të futbollit.
Ceremonia e diplomimit u zhvillua në prani të lektorit të kursit, Erjon Stavri, trajneres së Kombëtares së vajzave U19, Daniela Kodra, presidentit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, Mikel Furrxhi, si dhe drejtorit teknik të kësaj shoqate, Julian Rakipi, të cilët përgëzuan kursantët për përkushtimin dhe seriozitetin e treguar gjatë gjithë programit.
Gjatë ceremonisë u vlerësua angazhimi, përkushtimi dhe puna intensive e kursantëve përgjatë gjithë programit, duke theksuar rëndësinë e formimit cilësor në zhvillimin e futbollit shqiptar.
Organizimi i kurseve të licencimit si UEFA C mbetet një hallkë thelbësore në përgatitjen e trajnerëve të rinj dhe në forcimin e bazës së futbollit shqiptar, duke garantuar standarde më të larta profesionale në çdo nivel të lojës.