Vetëm Lautaro me dyshifror golash këtë sezon

- Bota Sot

Vetëm Lautaro me dyshifror golash këtë sezon

Për vite me radhë, Serie A është konsideruar si “universiteti i qendërsulmuesve”, kampionati ku formoheshin dhe shpërthenin bomberat më të mëdhenj.

Sot, megjithatë, ajo epokë e artë duket në perëndim. Shifrat flasin qartë: pas 27 javësh kampionat, kryegolashënuesi nuk ka pasur kurrë kaq pak gola në 26 vitet e fundit.

Aktualisht, në krye të renditjes së golashënuesve është Lautaro Martínez me 14 gola.

Që nga viti 2000, kuota minimale në këtë fazë të sezonit kishte qenë 15 gola, e regjistruar nga Mauro Icardi në sezonin 2014/15 dhe Carlos Tevez në 2013/14.

Një tjetër tregues domethënës i krizës së sulmuesve është numri i lojtarëve me dyshifror golash pas 27 javësh. Këtë sezon, vetëm Lautaro ka arritur dhe kaluar kuotën e 10 golave në kampionat, një rast unik në gati tre dekadat e fundit. Në të gjitha sezonet e mëparshme, në këtë pikë të garës kishte të paktën pesë futbollistë me dyshifror.

Pas argjentinasit, renditen disa emra me 8 ose 9 gola: Rafael Leão (9), Nico Paz (9), Anastasios Douvikas (9), Rasmus Højlund (9), Hakan Çalhanoğlu (8), Davis (8), Moise Kean (8), Christian Pulisic (8) dhe Kenan Yıldız (8).

Analiza e renditjes aktuale nxjerr në pah edhe një tjetër fenomen: numri i qendërsulmuesve klasikë është në rënie. Përveç Lautaros, Højlund, Kean dhe Davis, shumica e emrave janë sulmues anësorë, apo edhe mesfushorë si Çalhanoğlu.

Po aq e dukshme është mungesa e bomberave të skuadrave të vogla, një tipar karakteristik i Serie A ndër vite. Emra si Fabio Quagliarella, Antonio Di Natale, Enrico Chiesa, Ernesto Chevanton apo Cristiano Lucarelli ishin dikur garanci golash edhe për klubet jashtë elitës.

Krahasimi me Top 5 kampionatet

Panorama bëhet edhe më shqetësuese kur Serie A krahasohet me kampionatet e tjera të mëdha europiane. Vetëm në Ligue 1 kryegolashënuesi ka të njëjtën kuotë me Lautaron: Mason Greenëood me 14 gola, por me tre ndeshje më pak të zhvilluara. Në Francë, për më tepër, ka disa lojtarë të tjerë në dyshifror.

Në Premier League dominon Erling Haaland me 22 gola, i ndjekur nga Igor Thiago me 18. Në La Liga kryeson Kylian Mbappé me 23 gola, ndërsa në Bundesliga shifrat janë edhe më mbresëlënëse: Harry Kane ka realizuar 30 gola në 24 ndeshje.

Shifrat tregojnë qartë se Serie A po përjeton një moment të vështirë për sa i përket prodhimit të golave dhe figurës së “numrit 9”. Një kampionat që dikur ishte simbol i bomberave, sot duket në kërkim të një brezi të ri që të rikthejë lavdinë e dikurshme.



Read it all at Bota Sot