Pedri, protagonist i një paraqitjeje të jashtëzakonshme mbrëmjen e “rrethimit” blaugrana ndaj Atlético Madridit, ndau në rrjetet sociale një mesazh inkurajues për ekipin dhe tifozët pas eliminimit në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.
“Dhamë gjithçka (edhe më shumë), i shkuam shumë shumë pranë përmbysjes”, – shkroi mesfushori në llogarinë e tij zyrtare në ‘X’, duke theksuar përkushtimin e grupit në një ndeshje ku Barcelona e mbajti gjallë shpresën e kualifikimit deri në minutën e fundit.
Lojtari hodhi sytë nga e ardhmja, duke kujtuar se skuadra ka ende dy objektiva madhorë: La Liga, ku është kryesuese me 4 pikë avantazh ndaj Real Madridit, dhe Champions League, me përballjen e 1/8-ave ndaj Newcastle United:
“Jam i bindur se me përpjekjen tonë dhe mbështetjen e tifozëve, që të martën mbrëma ishin të jashtëzakonshëm, do të përjetojmë netë të mëdha.
Tani duhet të rikuperojmë energjitë, kokën lart dhe krenarë”.
Pedri luajti mbi 100 minuta, regjistroi 14 rikuperime dhe udhëhoqi presionin e ekipit të tij, me prani konstante në ndërtim dhe rikuperim topi.