Rafael Leao dhe Milani janë gati të hedhin një tjetër hap të rëndësishëm së bashku.
Sulmuesi portugez dhe drejtuesit kuqezi kanë nisur bisedimet për të zgjatur kontratën aktuale me dy sezone të tjera, duke e shtyrë skadencën nga qershori i vitit 2028 deri në qershor 2030.
Këtë herë negociatat po zhvillohen në një klimë shumë më të qetë krahasuar me rinovimin e fundit, që ishte i gjatë dhe i lodhshëm. Pritet edhe një rritje logjike e pagës, që tashmë është më e larta në skuadër, me qëllim që të largohen tundimet e mundshme nga klubet e Premier League.
Leao sot është një lojtar më i pjekur dhe shumë më i lidhur me Milanin. Ai e ndien veten lider teknik të skuadrës së drejtuar nga Massimiliano Allegri, një pikë referimi rreth së cilës mund të ndërtohen ambiciet e “Djallit”.
Edhe pse ka ndryshuar rol dhe është vënë më shumë në shërbim të ekipit, duke sakrifikuar ndonjëherë nga shkëlqimi individual, ai mbetet vendimtar: në 20 ndeshje këtë sezon ka realizuar nëntë gola dhe ka dhënë dy asiste, pavarësisht problemeve të vazhdueshme në ijë.
Akordi ende nuk është finalizuar me shtrëngim duarsh, por fakti që palët po lëvizin herët tregon qartë vullnetin për të ndërtuar të ardhmen mbi baza të forta. Pas marrëveshjes me Mike Maignan dhe tentativës për të bindur Luka Modric-in të qëndrojë edhe një vit, tani radha është e Leaos.
Milani synon rikthimin në Ligën e Kampionëve dhe dëshiron ta bëjë këtë me kampionët e tij. Leao duket gati të thotë “po”: e ardhmja do të jetë kuqezi.