Milani po përballet me një krizë në mbrojtje, një situatë e parashikueshme pas dëmtimit të Matteo Gabbia, i cili do të mungojë për rreth një muaj.
Kjo lë trajnerin Allegri me vetëm tre qendërmbrojtës të disponueshëm për tre pozicione: Fikayo Tomori, Koni De Winter dhe Strahinja Pavloviq. Këta tre lojtarë pritet të luajnë së bashku në derbi dhe në ndeshjet e ardhshme, duke u bërë të pandashëm derisa një pezullim apo dëmtim tjetër t’i ndajë.
Alternativat e Allegrit janë të kufizuara.
Ai mund të promovojë David Odogu, i cili ka luajtur vetëm katër minuta në Serie A këtë sezon, ose të tërheqë Davide Bartesaghi në qendër të mbrojtjes, duke e zhvendosur Pervis Estupinan si mbrojtës të majtë titullar.
Kjo e fundit është një zgjidhje e testuar nga Milani më parë.
Megjithatë, një lëvizje e tillë do të ndryshonte dinamikën e skuadrës, duke siguruar një mbrojtës të majtë me aftësi në ndërtimin e lojës, por duke humbur krosimet e Bartesaghit dhe duke ekspozuar skuadrën ndaj rrezikut të gabimeve nga Estupinan.
Performanca e Koni De Winter është thelbësore në këtë moment. Ai është i vetmi qendërmbrojtës i Milanit që mund të luajë në tre pozicione: qendër-djathtas (pozicioni i tij natyral), qendër-majtas (më atipik) dhe qendër (zgjedhja e fundit e Allegrit, e cila pritet të bëhet kryesore në ndeshjet e ardhshme). De Winter ka pësuar një transformim të plotë në dy muajt e fundit.
Nga një paraqitje shumë e dobët në Superkupë kundër Napolit para Krishtlindjeve, ku vuajti ndaj Hojlund, ai është kthyer në një garanci për skuadrën në fillim të marsit, duke i dhënë Allegrit përgjigje bindëse sa herë që i është besuar.
Krahasimi me klubet e tjera të mëdha italiane nxjerr në pah mungesën e thellësisë te Milani. Interi, për shembull, ka Akanji, Acerbi dhe De Vrij si qendërmbrojtës, me Carlos Augusto si një alternativë atipike. Napoli ka Buongiorno, Rrahmani, Beukema, Juan Jesus për dy pozicione, si dhe lojtarë të tjerë si Di Lorenzo dhe Olivera që mund të përdoren në një formacion me tre mbrojtës.
Roma, pavarësisht dëmtimeve, mund të zgjedhë mes Mancini, Ghilardi, N’Dicka, Ziolkowski dhe Hermoso. Edhe pse në numra diferenca nuk duket gjithmonë e madhe, në praktikë, klubet e tjera kanë më shumë mundësi për të variuar dhe menaxhuar ngarkesën.
Pyetja kryesore që mbetet është nëse Milani do të pendohet që nuk mori një qendërmbrojtës në janar. Allegri, publikisht, është gjithmonë korrekt dhe nuk ankohet, por mes Vitit të Ri dhe fillimit të shkurtit ai do të kishte mirëpritur një alternativë për Gabbia.
Zgjedhja për të mos shpenzuar pothuajse asnjë buxhet në merkato ka bërë që skuadra të mbetet me të njëjtin organik si në vjeshtë.
Kjo strategji, e cilësuar si një rrezik i llogaritur apo një bast i guximshëm, do të testojë ambiciet e Milanit për titullin kampion dhe kualifikimin në Champions League në tre muajt e ardhshëm.