Ndeshja e shumëpritur mes Spanjës dhe Argjentinës, përkatësisht fituesja e Europianit dhe e Kupës së Amerikës në fuqi, duket se po shkon drejt dështimit.
Situata në Lindjen e Mesme me luftën në Iran dhe sulmet e këtij të fundit ndaj vendeve fqinje, kanë zhytur në kaos rajonin duke përfshirë edhe Katarin ku duhej të luhej “Finalissima” në fund të këtij muaji.
UEFA bëri të qartë sot se përkundrejt asaj që mendohej, nuk po merrte në konsideratë mundësinë që të zhvillonte ndeshjen në një vend tjetër, e lidhur ngushtë me faktin që Katari është një prej sponsorëve të kësaj përballje dhe mbulon shpenzimet e mëdha financiare për të.
“Jemi të vetëdijshëm për spekulimet rreth “Finalissima”, duke pasur parasysh situatën në rajon. Diskutimet janë duke vazhduar me organizatorët vendas, të cilët kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar që ndeshja të jetë një sukses.
Një vendim përfundimtar pritet të merret deri në fund të javës së ardhshme.
Për momentin, nuk po shqyrtohen vende alternative. Nuk do të komentojmë më tej derisa të merret një vendim”, përfundoi njoftimi i UEFA-s.
Ideja është të pritet sa më gjatë që situata në Lindjen e Mesme të stabilizohet, megjithëse ditët e fundit ka pasur spekulime se Londra ose Madridi mund të marrin përsipër organizimin e eventit. Nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, dueli do të anulohet apo shtyhet për një datë tjetër.