Kosova gati për sfidën me Kroacinë

- Bota Sot

Kosova gati për sfidën me Kroacinë

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave e ka zhvilluar dje stërvitjen e fundit në Karllovc, në prag të ndeshjes kundër Kroacisë, e cila luhet të shtunën nga ora 17:00.

Kjo përballje zhvillohet në kuadër të Ligës C të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Dardanet vijnë në këtë sfidë me moral të lartë pas fitores bindëse ndaj Gjibraltarit në Prishtinë, ndërsa gjatë ditëve të grumbullimit stafi teknik është përqendruar maksimalisht në përgatitjen për përballjen me Kroacinë, që vlerësohet edhe favorite e grupit.

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Sami Sermaxhaj, theksoi se ekipi është përgatitur me kujdes për këtë ndeshje, duke analizuar si pikat e forta ashtu edhe ato të dobëta të kundërshtarit.

“Kroacia është ndoshta ekipi më favorit i grupit, mirëpo gjatë këtyre përgatitjeve ne nuk jemi fokusuar vetëm te Gjibraltari, sepse e kemi ditur që nuk është një sfidë shumë e vështirë për ne.

Prandaj, jo vetëm sot dhe në dy ditët e fundit, por edhe më herët gjatë grumbullimit, e kemi pasur në fokus Kroacinë.

Jemi munduar t’i identifikojmë pikat e dobëta të tyre dhe t’i shfrytëzojmë ato sa më mirë, por njëkohësisht kemi marrë masa që pikat e forta të tyre t’i neutralizojmë dhe të mos u lejojmë të shfaqen në lojë.

Vajzat janë shumë të motivuara dhe jam i bindur se do të japin maksimumin, me synimin që nga kjo ndeshje të dalim me rezultat pozitiv”, ka thënë Sermaxhaj.

Edhe futbollistja dardane, Kaltrina Biqkaj, e vlerësoi këtë përballje si shumë të rëndësishme për rrjedhën e kualifikimeve.

“Ndeshja me Kroacinë është shumë e rëndësishme për ne, duke pasur parasysh se vijmë pas një fitoreje që e kemi arritur në Prishtinë. Kjo është ndeshje e rëndësishme për kalim të grupit.

Siç dihet, Kroacia është pretendent për ta kaluar grupin, por edhe ne jemi mobilizuar mjaft mirë.

Kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe jemi përpjekur të qëndrojmë kompakt si ekip, me synimin që nesër të arrijmë një rezultat pozitiv”, ka deklaruar Biqkaj.



Read it all at Bota Sot