Sezoni i Manchester City ka qenë si një mal i lartë për t’u ngjitur, por trajneri Pep Guardiola ka disa lajme pozitive para sfidës së rëndësishme ndaj Real Madridit në Champions League.
Pas barazimit 2-2 kundër Nottingham Forestit, ku City la një shije të keqe, Guardiola riktheu në skuadër sulmuesin norvegjez Erling Haaland, i cili mungoi në ndeshjen e fundit për shkak të shqetësimeve fizike.
Megjithëse Haaland nuk luajti në formën më të mirë ndaj Forest, fakti që do të jetë i gatshëm për Madrid është një plus i madh. Haaland mbetet gjithmonë një kërcënim për mbrojtjen kundërshtare.
Jo vetëm Haaland. Doku, që kishte shkaktuar probleme te Madridi në ndeshjen e mëparshme në ‘Bernabéu’, luajti minutat e tij të para pas një muaji pushim për shkak të dëmtimit.
Në këtë listë rikuperimesh futet edhe rikthimi i brazilianit Savinho, i cili luajti disa minuta ndaj Leeds United dhe më pas u aktivizua në fund të ndeshjes me Forest.
Këta tre lojtarë janë elementë kyç për rigjallërimin e sulmit të City-t dhe për të furnizuar Haaland-in me mundësi shënimi.
Një pikë e paqartë mbetet gjendja e Nico O’Reilly. Ylli i ri anglez ka dhënë shumë energji dhe ka shënuar tre gola në pozicion më të avancuar se zakonisht si mbrojtës i majtë, por një problem në kyç e la jashtë ndaj Nottingham Forest dhe City e ndjeu mungesën e tij.
Rikthimi i O’Reilly për udhëtimin drejt Madridit mbetet ende i pasigurt, dhe gjendja e tij do të jetë vendimtare për strategjinë e Guardiolës në ndeshjen e madhe të Champions League.