Trajneri i Milanit, Max Allegri, foli për derbin ndaj Interit që mund të ndikojë në garën për titull në Serie A. Ai vlerësoi forcën e rivalëve, por theksoi se objektivi kryesor i Milanit mbetet kualifikimi në Champions League.
Derbi i shumëpritur mes Milanit dhe Interit pritet të jetë moment vendimtar në garën për titullin në Serie A.
Ndeshja në “San Siro” mund të ketë ndikim të madh në renditjen e kampionatit, pasi një fitore e Interit do ta çonte diferencën në krye të tabelës në 13 pikë.
Për Milanin, nga ana tjetër, një sukses do të mbante ende të hapur garën dhe do të afronte skuadrën kuqezi me rivalët.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i Milanit Max Allegri theksoi rëndësinë e derbit, por u përpoq të ulë presionin mbi skuadrën. Ai e cilësoi përballjen një ndeshje të veçantë dhe një mbrëmje të rëndësishme sportive mes dy skuadrave më të mira të kampionatit. Megjithatë, sipas tij, në aspektin e pikëve kjo është një ndeshje si të gjitha të tjerat.
Allegri pranoi se Interi është aktualisht skuadra më e fortë e Serie A. Sipas tij, zikaltrit kanë lojtarë me shumë përvojë dhe cilësi fizike e teknike, ndërsa kanë integruar mirë edhe elementë të rinj si Pio Esposito. Trajneri shtoi se pas ndeshjes do të kuptohet më qartë situata në renditje, nëse diferenca do të mbetet dhjetë pikë, do të ulet në shtatë ose do të rritet në trembëdhjetë.
Megjithatë, objektivi kryesor i Milanit mbetet kualifikimi për në Champions League sezonin e ardhshëm. Allegri theksoi se 57 pikët aktuale nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një vend në katërshen e parë, ndërsa skuadrat pas Milanit po fitojnë terren. Për këtë arsye, sipas tij, skuadra duhet të mbetet e përqendruar në rezultatet e radhës.
Sa i përket gjendjes së lojtarëve, trajneri konfirmoi se Loftus-Cheek dhe Gabbia janë ende jashtë për shkak dëmtimi, ndërsa Gimenez nuk është rikthyer ende në stërvitje me ekipin. Për pjesën tjetër të skuadrës, Allegri tha se lojtarët janë në gjendje të mirë fizike.
VIDEO/ Bayerni fiton me poker ndaj Gladbah dhe blindon kreun e renditjes
Trajneri komentoi gjithashtu zërat për të ardhmen e tij, duke theksuar se është i lidhur me Milanin me kontratë deri në vitin 2027 dhe se ndihet mirë në klub. Ai shtoi se drejtuesit po punojnë për të ardhmen e skuadrës, ndërsa tani për tani fokusi mbetet te objektivi për t’u kualifikuar në Champions League