Kosova arrin fitore të madhe në Kroaci

- Bota Sot

Kosova arrin fitore të madhe në Kroaci

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Kroacisë, duke triumfuar me rezultat 1:0 në Karlovac, në ndeshjen e Grupit 2 të Ligës C në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2027.

Pas dy humbjeve ndaj Kroacisë në përballjet e vitit 2024 në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”, Dardanet këtë herë arritën të triumfojnë ndaj ekipit që konsiderohet favorit i grupit.

Golin e vetëm dhe të fitores për Kosovën e realizoi Modesta Uka në minutën e 13-të, duke i dhënë ekipit të drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj tri pikë shumë të rëndësishme në rrugën drejt përmbushjes së objektivit të këtij edicioni.

Me këtë fitore, Kosova ngjitet në krye të tabelës me 6 pikë, tri më shumë se Kroacia. Në ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues, e cila u zhvillua të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova shënoi fitore bindëse ndaj Gjibraltarit, me rezultat 6:0.

Në vazhdim të kualifikimeve, Kosova më 14 prill do të përballet në udhëtim me Bullgarinë, ndërsa më 18 prill do ta presë këtë kundërshtar në shtëpi.

Cikli kualifikues do të mbyllet në muajin qershor, kur më 5 qershor Kosova do ta presë Kroacinë në Prishtinë, ndërsa më 9 qershor do të luajë në udhëtim ndaj Gjibraltarit.

Nga Liga C nuk sigurohet kualifikimi direkt në fazën finale të Botërorit, por skuadrat që përfundojnë në vendin e parë të grupeve, si dhe dy vendet e dyta më të mira, avancojnë në fazën “play-off”.

Në këtë fazë ato përballen me kombëtaret nga ligat më të larta në dy raunde të ‘play-off’-it për të synuar një vend në Kampionatin Botëror.

Ndërkaq, pozita e parë në grup po ashtu ia mundëson Kosovës të kalojë në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues.



Read it all at Bota Sot