Van Der Sar habit të gjithë

- Bota Sot

Van Der Sar habit të gjithë

Në futbollin modern, roli i portierit është bërë gjithnjë e më vendimtar, jo vetëm për aftësinë për të mbrojtur portën, por edhe për pjesëmarrjen në ndërtimin e lojës.

Për këtë arsye, debati mbi se kush janë portierët më të mirë në botë është gjithmonë shumë i nxehtë.

Opinioni i tij u shpreh nga Edvin Van der Sar, ish-portier i klubeve prestigjioze si Juventusi dhe Mançester Junajtid, si dhe portier historik i Kombëtares së Holandës.

Në një intervistë të fundit për “ESPN UK”, ish-numri një ndau vlerësimin e tij personal mbi disa nga portierët më të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar.

Gjatë bisedës, gazetari përmendi disa emra portierësh aktualë që luajnë në ligat më të mëdha evropiane, duke pyetur Van der Sar nëse secili prej tyre mund të konsiderohej një portier “top class”. Ish-portieri holandez iu përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë rezervë, duke thënë thjesht po ose jo për çdo emër të përmendur.

Portierët që, sipas Van der Sar, meritonin të konsideroheshin ndër më të mirët në botë përfshijnë disa emra shumë të njohur. Ndër ta është Xhanluixhi Donaruma, portier italian që pas eksperiencës te Milani ka vazhduar karrierën në nivelet më të larta në Europë.

Ish-portieri holandez dha një vlerësim pozitiv edhe për Alison Beker, referencë e Liverpulit dhe Kombëtares së Brazilit, si dhe për Tibo Kurtua, protagonist me Realin e Madridit në vitet e fundit me paraqitje shpesh vendimtare në garat më të rëndësishme.

Në listën e më të mirëve gjen vend edhe Manuel Nojer, simbol i Bajernit të Mynihut dhe i konsideruar një nga portierët më inovativë të historisë së fundit të futbollit. Van der Sar vlerësoi gjithashtu aftësitë e mëdha të Andre Onanan, ish-portier i Interit, dhe dha një gjykim pozitiv edhe për Emiliano Martinez.

Megjithatë, për argjentinasin, ai specifikoi se vlerësimi lidhet kryesisht me performancat e treguara me fanellën e Kombëtares së Argjentinës, ku veçoi sidomos paraqitjet në kompeticionet ndërkombëtare. Megjithatë, jo të gjithë portierët e përmendur fituan aprovimin e ishnumrit një holandez.

Mes atyre që nuk përfshihen në konceptin e tij të portierëve të nivelit absolut janë edhe dy protagonistë të Serie A: Jan Somer, portier aktual i Interit, dhe Majk Menja, portier i Milanit. Sipas Van der Sar, asnjëri prej tyre nuk mund të konsiderohet pjesë e elitës botërore.

I njëjti gjykim negativ u dha edhe për portierë të tjerë shumë të njohur, si italiani Gulielmo Vikario, si dhe David Raja, Jan Oblak, Mark-Andre ter Shtegen, Nik Pope, Jordan Pikford dhe Robert Sançez.

Një përzgjedhje mjaft e rreptë që tregon se, sipas ish-portierit holandez, grupi i portierëve të vërtetë “numër një” në futbollin ndërkombëtar është shumë i vogël.



Read it all at Bota Sot