Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar publikisht pasi emri i tij u përmend si një nga opsionet për postin e presidentit të Kosovës.
Në një reagim të gjatë, Hoti tha se nuk ka kërkuar kurrë ndonjë post politik, e aq më pak postin e presidentit, duke e cilësuar atë si nderin më të madh që mund t’i bëhet një qytetari.
Ai konfirmoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit Albin Kurti lidhur me diskutimet për çështjen e presidentit, duke thënë se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i situatës dhe se ka pasur përpjekje për presione politike.
Hoti theksoi se përmendja e emrit të tij kishte ardhur si një përpjekje për të tejkaluar një ngërç politik dhe për të shmangur krizën institucionale në vend.
Ai foli edhe për rrugëtimin e tij politik, duke përmendur kontributin e mëparshëm në Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidimin e tij në zgjedhjet e fundit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në reagimin e tij, Hoti mbrojti gjithashtu figurën e babait të tij, Ukshin Hoti, duke thënë se është krenar për trashëgiminë e tij dhe se veprimtaria e tij nuk mund të zbehet nga sulmet politike.
Në fund, ai bëri thirrje për unitet politik dhe stabilitet institucional, duke theksuar se në fund është qytetari ai që gjykon për secilin politikan.