Lis Imeri, talenti i ri premtues që rritet te Rabotniçki i Shkupit

- Bota Sot

Lis Imeri, talenti i ri premtues që rritet te Rabotniçki i Shkupit

Mesfushori 16-vjeçar, djali i këngëtarit të njohur Mustafa Imeri, po bën hapa të sigurt drejt futbollit të madh dhe tashmë është ftuar edhe nga përfaqësuesja e Maqedonisë U16.

Futbolli vazhdon të nxjerrë talente të rinj dhe një nga emrat që po tërheq vëmendjen është mesfushori i ri, Lis Imeri. I lindur më 14 shkurt 2010, ai aktualisht është pjesë e shkollës së futbollit të Rabotniçkit nga Shkupi, ku luan për gjeneratën 2009, ndërsa së fundmi ka marrë edhe ftesë nga përfaqësuesja e Maqedonisë U16 për ndeshjen kundër Letonisë. 

Rrugëtimi i tij në futboll nisi herët, në moshën shtatëvjeçare në klubin Albion. Dashuria për këtë sport erdhi natyrshëm, duke parë futboll dhe falë ndikimit të familjes.

“Kam filluar të ushtroj futboll që në moshën 7-vjeçare. Dashuria për këtë sport më erdhi duke parë futboll dhe nga babai im që më drejtoi në këtë rrugë”, deklaroi Imeri.

Talenti i ri vjen nga një familje ku arti dhe sporti janë gjithmonë të pranishëm. Babai i tij, këngëtari i njohur, Mustafa Imeri, është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Lisit.

“Babai mundohet të vijë edhe në stërvitje, por në ndeshje është gjithmonë aty për të më përkrahur bashkë me familjen time”, tha ai, duke theksuar se mbështetja e familjes ka qenë vendimtare në çdo hap të karrierës së tij.

Pavarësisht angazhimeve në futboll, ai arrin të mbajë balancën edhe me shkollën. Sipas tij, sporti nuk e ka penguar në mësime, përveç mungesave gjatë ndeshjeve dhe turneve.

Sa i përket inspirimit në futboll, dashuria për lojën i është rritur duke ndjekur Realin e Madridit,  ndërsa modeli i tij në mesfushë është ylli anglez, Jude Bellingham. 

“Më pëlqen klasi, vizioni i lojës dhe qetësia e tij nën presion”, u shpreh Imeri. Në debatet klasike të futbollit, ai zgjedh qartë, Cristiano Ronaldo. 

“Ronaldo është shembull për mua. Disiplina dhe mentaliteti i tij tregojnë pse ka arritur majat e futbollit”, shtoi mesfushori i ri.

Ndër sukseset e tij të para veçohet fitimi i vendit të parë në turneun “Pirin Cup Sandanski” me skuadrën FK Karev, derisa Lisi u zgjodh te Akademia e FFM-së në mesin e 30 talentëve më të mirë nga gjithë vendi.

Aktualisht ai është pjesë e Rabotniçkit dhe vazhdon të zhvillohet duke luajtur edhe me gjenerata më të mëdha. Ambiciet e tij janë të qarta dhe të mëdha.

“Shpresoj që në të ardhmen të luaj në një nga pesë ligat më të forta në botë, ndërsa ëndrra ime është të luaj për Real Madridi ”, deklaroi Imeri.

Sa i përket futbollit shqiptar, ai veçon Shkëndijën e Tetovës dhe Dritën e Gjilanit si ekipet që i pëlqejnë më shumë, ndërsa nga futbollistët shqiptarë model për të është mesfushori Granit Xhaka, për gjithçka që ka arritur dhe vazhdon të bëjë në futbollin evropian, si dhe mbase edhe për shkak të rolit dhe stilit të tij në mesfushë.

Me talentin dhe përkushtimin që po tregon, Lis Imeri, gjithnjë nëse vazhdon zhvillimin sipas parashikimeve, pritet të dëgjohet gjithnjë e më shumë në vitet e ardhshme të futbollit, me shpresën për ta parë në nivele profesionale.



Read it all at Bota Sot