Atmosfera për derbin e madh të Milanos po rritet gjithnjë e më shumë dhe edhe ‘yje’ të futbollit nuk arrijnë t’i rezistojnë këtij spektakli. Mes tyre është edhe mesfushori kroat Luka Modriç, i cili ka siguruar plot 60 bileta për ndeshjen mes Milani dhe Interi.
Fituesi i ‘Topit të Artë’, i cili do të jetë protagonist në fushë, ka ftuar një numër të madh familjarësh, të afërmish dhe miqsh për të përjetuar nga tribuna një nga përballjet më të famshme të futbollit italian.
Mes të ftuarve të veçantë të ish-‘yllit’ të Real Madrid është edhe një mik i vjetër dhe ish-shok skuadre në përfaqësuese: Mario Mandžukić. Ish-sulmuesi kroat, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe për Juventusin dhe vetë Milanin, do të jetë i pranishëm në tribunat e “San Siro”-s për të ndjekur nga afër përballjen e madhe.
Mandzukiç ka qenë këto ditë mysafir në shtëpinë e Modriç dhe sonte do të jetë mes spektatorëve për të mbështetur ish-shokun e tij të skuadrës. Ish-sulmuesi kroat u pa së fundmi edhe në ‘Allianz Stadium’, ku mori një ovacion të madh nga tifozët e Juventusi përpara ndeshjes kundër Pisa-s.
Derbi mes Milanit dhe Interit pritet të jetë një spektakël i madh në fushë dhe në tribuna, ndërsa prania e figurave të njohura të futbollit si Modriç dhe Mandzukiç e shton edhe më shumë interesin për këtë përballje historike.