Ylber Ramadani ka qenë ndër lojtarët që kanë bërë xhiron e stadiumit duke duartrokitur tifozët në fund të ndeshjes që Leçe fitoi në fushën e saj ndaj Kremonezes, duke ringjallur shpresat për mbijetesën në Serinë A. Suksesi 2-1 ndaj rivalit direkt bëri që salentinët të dalin nga zona e ftohtë e klasifikimit.
“Pieroti dje bëri një gol të madh në stërvitje dhe e ndjente se do të vinte një edhe sot. Ka bërë një ndeshje të madhe e tashmë duhet të vazhdojmë kështu, pasi na mbeten edhe 10 ndeshje për t’u luajtur”, tha Ramadani për “DAZN” pas sfidës.
“Përshëndetja me tifozët? Për mua është e rëndësishme, pasi dua që të arrij mbijetesën. Sot u shitën të gjitha biletat dhe të gjithë ndihmuan ekipin që të merrte tre pikët.
Pa ta, nuk do të merrnim asgjë. Duhet të vazhdojmë kështu.
Video para ndeshjes? Ishte gjithë sakrifica që kemi bërë që nga nisja e kampionatit, kishim vështirësi por tani jemi mirë. Ishte një video motivuese për ne”, shpjegoi Ramadani mënyrën se si trajneri Di Françesko kishte përgatitur këtë përballje direkte.