Iraku i ka kërkuar zyrtarisht FIFA-s shtyrjen e ndeshjes së play-off-it për kualifikimin në Botërori 2026, pas refuzimit të një udhëtimi 25-orësh me rrugë tokësore drejt Turqisë.
Ndeshja ësht planifikuar për 31 mars, në Monterrey, Meksikë, kundër Bolivisë ose Surinamit, por tani është në rrezik për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Irakut si pasojë e konfliktit të brendshëm.
Situata logjistike është komplekse: rreth gjysma e skuadrës është e bllokuar në Bagdad dhe nuk mund të udhëtojë, ndërsa trajneri australian, Graham Arnold, ndodhet i bllokuar në Dubai.
FIFA kishte sugjeruar që lojtarët të udhëtonin me rrugë tokësore nga Bagdadi në Stamboll, duke kaluar përmes veriut të vendit, një zonë e rrezikuar nga sulmet e dronëve iranianë. Megjithatë, Arnold ka konfirmuar se nuk do të lejojë lojtarët të bëjnë këtë udhëtim derisa konflikti të vazhdojë.
Përveç problemeve të transportit, ka edhe vështirësi me vizat. Shumë lojtarë dhe pjesëtarë të stafit nuk kanë marrë ende vizat për Meksikë ose SHBA, ku ishte planifikuar një përgatitje në Houston. Federata Irakiane po ushtron presion ndaj FIFA-s që të marrë dhe të njoftojë sa më shpejt një vendim për shtyrjen e ndeshjes.
Iraku tashmë ka siguruar pjesëmarrjen në njërën nga dy finalet e play-off-it interkontinental me gjashtë skuadra dhe ndeshja e tij është e fundit e këtij turneu.
Një opsion tjetër për FIFA-n mund të jetë që Iraku të zëvendësojë Iranin në Botëror nëse ky i fundit tërhiqet për shkak të luftës, pasi Iraku ka renditjen më të mirë pas Iranit në kualifikimet e AFC.
Ky zhvillim vendos në tension të lartë situatën e kualifikimeve për Botërori 2026 dhe pritet një vendim i shpejtë nga FIFA.