Skuadra me renome e futbollit Liria e Prizrenit ka reaguar për ndeshjen sotme në përballje me Vushtrrinë, ku pësuan humbje me rezultat 1:0.
Prizrenasit thonë se janë dëmtuar rëndë nga gjyqtari ku anuloi një gol të pastër.
“Klubi ynë reagon ndaj anulimit të golit të rregullt të shënuar nga Dijar Nikqi në ndeshjen mes FC Liria dhe KF Vushtrria.
Gjyqtari Rrezart Hasani e anuloi golin duke pretenduar për faull, megjithëse nga pamjet shihet qartë se nuk kishte faull nga lojtari ynë, përkundrazi kontakti ishte ndaj tij.
Nëse goli nuk do të pranohej, situata duhej të ndëshkohej me penallti për ekipin tonë.
Edhe pse ishte në funksion VAR-i me gjyqtarin Ilir Mehmeti, u mor një vendim që ngre shumë dyshime dhe dëmton besimin në drejtësinë sportive. Klubi ynë nuk do të heshtë përballë padrejtësive të tilla”, reagon FC Liria.
Vushtrria kryeson me 50 pikë e Liria renditet në vend të 6-të me 45 pikë pas javës së 23-të të Ligës së Parë të Kosovës.