Krytetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, përballet të hënën me gjykatën së bashku me mbi 400 të pandehur të tjerë për korrupsion të gjerë, në një rast që kritikët e konsiderojnë si një sulm politik ndaj opozitës turke.
Imamoglu, i cili ka qenë në burg për gati një vit, është sfiduesi kryesor i presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe kandidati i partisë kryesore opozitare për zgjedhjet e vitit 2028.
Shumica e të pandehurve punojnë ose kanë punuar në Komunën e Stambollit dhe janë anëtarë të Partisë Popullore Republikane (CHP), përfshirë edhe gazetarë. Imamoglu përballet me 142 akuza, përfshirë krijimin e “organizatës kriminale për përfitim” që nga 2015, duke akuzuar se qëllimi ishte pasurimi i të pandehurve dhe përfitimi politik i Imamoglu brenda partisë, duke e çuar në kandidaturën presidenciale. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me mbi 2,000 vjet burg, raporton AP, përcjell KosovaPress.
Arrestimi i tij më 19 mars të vitit të kaluar nxiti protesta masive në rrugët e Turqisë, më të mëdhatë në një dekadë. Gjyqi zhvillohet në një sallë të ndërtuar veçanërisht pranë burgut në Silivri, ku Imamoglu dhe shumica e të pandehurve janë të mbajtur.
Mbështetësit e tij dhe grupet për të drejtat e njeriut denoncojnë përdorimin e “dëshmitarëve të fshehtë” dhe pandehurve që dëshmojnë kundër bashkakuzuarve, duke e cilësuar procesin si një përpjekje për të larguar Imamoglu nga politika dhe për të diskredituar CHP-në. Autoritetet qeveritare, megjithatë, insistojnë se gjyqësori është i pavarur dhe i paanshëm.
Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch e përshkroi këtë si “përdorim të sistemit të drejtësisë penale si armë” kundër opozitës, duke theksuar se ky rast minon demokracinë në Turqi.