Sigal Prishtina ka njoftuar opinionin publik, tifozët dhe mediat se është detyruar të ndërpresë pjesëmarrjen në European North Basketball League .
Sipas njoftimit zyrtar të klubit, vendimi ka ardhur si pasojë e obligimeve financiare dhe administrative të papërmbushura ndaj ligës, të cilat janë krijuar nga drejtuesit e mëparshëm të klubit. Drejtuesit aktualë kanë bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të vazhduar garimin në këtë kompeticion ndërkombëtar, por obligimet e trashëguara kanë bërë të pamundur vazhdimin e pjesëmarrjes në këtë fazë.
Në deklaratë theksohet se, duke marrë parasysh edhe situatën sportive të ekipit dhe krizën aktuale të rezultateve, klubi ka vendosur që në këtë periudhë të përqendrohet maksimalisht në garat vendore dhe në stabilizimin e skuadrës.
Klubi prishtinas ka ritheksuar përkushtimin për rikthimin e stabilitetit dhe rezultateve që i takojnë historisë dhe traditës së tij.
Në fund të reagimit, KB Sigal Prishtina ka falënderuar drejtuesit dhe zyrtarët e European North Basketball League për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.