Shkëndija akuzon

- Bota Sot

Shkëndija akuzon

Klubi i Shkëndijës ka reaguar ashpër ndaj arbitrimit në kampionatin elitar të Maqedonisë së Veriut, duke akuzuar gjyqtarët për vendime që sipas tyre kanë dëmtuar ekipin tetovar dhe kanë favorizuar rivalët e Vardarit në garën për titull.

Reagimi erdhi pas ndeshjeve të xhiros së 22-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, ku Shkëndija u përball me Brera Strumican, ndërsa Vardari luajti ndaj Sileksit. Drejtuesit e klubit tetovar e konsideruan atë që ndodhi si “kufiri i fundit”, duke pretenduar se vendimet e arbitrave kanë ndikuar drejtpërdrejt në rrjedhën e garës.

Në një komunikatë zyrtare, Shkëndija thekson se për një kohë të gjatë ka zgjedhur të mos reagojë publikisht, duke besuar se institucionet përgjegjëse do të reflektonin dhe do të merrnin masa për të garantuar drejtësi në kampionat. Megjithatë, sipas tyre, situata nuk ka ndryshuar dhe heshtja e deritanishme është interpretuar si dobësi.

Klubi gjithashtu thekson se investimet në Shkëndijë janë private dhe vijnë nga sakrifica të mëdha për të ndërtuar një klub serioz që përfaqëson qytetin dhe vendin në arenën ndërkombëtare. Sipas drejtuesve, sukseset e arritura në Evropë kanë sjellë përfitime jo vetëm për klubin, por edhe për futbollin vendor.

Në fund të reagimit, drejtuesit paralajmërojnë se nëse vazhdon ajo që e quajnë qasje të pabarabartë dhe vendime të diskutueshme të arbitrave, ata do të detyrohen të rishqyrtojnë vazhdimin e investimeve në këtë ambient futbollistik.

Po ashtu, bëhet e ditur se për zhvillimet në kampionat mund të informohen edhe institucionet ndërkombëtare, përfshirë UEFA.

Sipas Shkëndijës, futbolli duhet të vendoset në fushë dhe jo jashtë saj, ndërsa klubi kërkon vetëm garë të ndershme dhe kushte të barabarta për të gjithë.



Read it all at Bota Sot