Brenda javës së 22-të të Kampionatit të Maqedonisë së Veriut në futboll, Arsimi pret sot një ndeshje të rëndësishme jashtë fushe kundër Rabotniçkit, një ndeshje që ka rëndësi të madhe për vazhdimin e sezonit.
Futbollisti i Arsimit, Albin Ramadani, theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke theksuar se skuadra hyn në fushë vetëm me një qëllim, fitoren.
"Presim një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Rabotniçkit.
Për ne si klub, kjo ndeshje ka peshë të madhe dhe e vetmja alternativë është fitorja.
Jemi përgatitur maksimalisht gjatë gjithë javës dhe skuadra është e motivuar për të dhënë maksimumin në fushë", tha Ramadani.
Ai iu referua edhe humbjes së fundit në shtëpi ndaj Tikveshit, duke theksuar se skuadra duhet të reagojë shpejt.
“Disfata ndaj Tikveshit ishte e vështirë për tu pranuar, por futbolli është i tillë dhe duhet të reagojmë shpejt. Duam ta harrojmë atë ndeshje sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kthehemi te rezultatet pozitive”, tha Ramadani.
Sipas Ramadanit, Arsimi ka cilësinë e nevojshme për të fituar tre pikët, nëse skuadra luan me përkushtim dhe disiplinë. “Ne besojmë në cilësinë e skuadrës sonë dhe nëse luajmë me përkushtim dhe disiplinë, jam i bindur se mund të fitojmë tre pikët dhe të kthehemi te seria pozitive që klubi ynë meriton”.
Ndeshja Rabotniçki-Arsimi do të luhet sot duke filluar nga ora 14:00.