Ndihmës trajneri i Shkëndijës, Burhan Emurllai, në mungesë të Jeton Beqirit të pezulluar dje drejtoi skuadrën në barazimin 1:1 me AP Brera, në kuadër të xhiros së 22-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Shkëndija avansoi me golin e Krasniqit (33’), derisa AP Brera shpëtoi nga humbja në sekondat e fundit kur Velkoski (90’+5) shënoi për barazim përfundimtar 1:1.
…barazimi…
Burhan Emurllai: “Pa diskutim është një rezultat jo i dëshiruar për ne. Këto dy pikë që i humbëm, duhet të rikuperohen në ndeshjet e ardhshme, pasi kemi edhe 11 ndeshje tjera. Futbollistët e dhanë maksimumin, ishim me një lojtar më pak në fushë, u munduam që ta nxjerrim me fitore ndeshjen deri në fund, por e pësuam golin në fund. Por, ky është futbolli, duhet ta mbajmë kokën lartë, kemi edhe 11 ndeshje për të luajtur deri në fund dhe pikët do ti rikuperojmë në duelet e radhës.”
…luftuam me 10 lojtarë…
Burhan Emurllai: “Ajo është për tu ardhur keq, pasi ekipi deri në minutën e fundit e dha maksimumin në të gjitha aspektet. Në këtë ndeshje me një lojtar më pak edhe shënuam gol, mirëpo për fat të keq nuk arritëm ta mbajmë rezultatin, ku pësuam në aksionin e fundit.
Është shumë dëshpëruese, por duhet të mendojmë se si duhet të dalim nga kjo situatë në duelet e ardhshme.
Këtë goditje të gjithë së bashku duhet ta përbëllojmë dhe duhet të vazhdojmë në ndeshjet e ardhshme që të mos dorëzohemi për ato ambiciet që kemi si klub.”
…duhej goli i dytë…
Burhan Emurllai: “Ishte shumë e vështirë, bëmë disa zëvendësime, u munduam ta freskojmë skuadrën, ku tentuam golin e dytë në disa raste, por nuk arritëm.
Duke pasur parasysh se ishim në epërsi 1:0 dhe një lojtar më pak, padiskutim se duhej gjërat të shkonin më mirë në minutat e fundit, por për fat të keq, ky është futbolli".