Sheffield Wednesday mund të fillojë sezonin 2026/27 të League One me një penalizim prej 15 pikësh.
Kjo gjobë do të aplikohet nëse pronarët e rinj të klubit nuk i paguajnë 15 milionë paundë (€17,3 M) Dejphon Chansiri-t, si pjesë e procesit të blerjes së klubit.
Sipas rregulloreve të English Football League (EFL), në shitjen e një klubi, të gjithë “kreditorët futbollistikë” duhet të paguhen plotësisht, ndërsa kreditorët e tjerë duhet të marrin të paktën 25% të shumës së detyruar. Në këtë rast, Chansiri, si kreditori më i madh individual i Sheffield Wednesday, duhet të marrë 17,3 milionë euro nga 69 milionë që i detyrohen, për të shmangur humbjen e 15 pikëve.
Chansiri ka huazuar mbi 60 milionë paundë (€69 M) gjatë 11 viteve si pronar i klubit. Meqenëse ky borxh nuk është konvertuar në kapital aksionar, pronarët e rinj duhet t’i paguajnë një të katërtën e shumës për të shmangur penalizimin.
Sipas SkySports, problemi qëndron te fakti se asnjë nga blerësit e mundshëm nuk duket i gatshëm të kryejë pagesën.
Ndër kandidatët kryesorë për blerje përmenden ish-pronari i Newcastle, Mike Ashley, dhe financieri amerikan, David Storch. Rezerva për të bërë pagesën lidhet me kostot e larta shtesë, punimet në stadium, borxhe tatimore dhe shpenzime ligjore që arrijnë rreth 20 milionë euro.
Po ashtu, ofertat aktuale janë dukshëm më të ulëta se 48 milionë paundë (€55 M), shumë kjo që James Bord kishte rënë dakord të paguante si kandidat i preferuar, por më pas tërhoqi propozimin.
Sheffield Wednesday tani ndodhet para një sfide të madhe financiare, ku mosrespektimi i kushteve mund të ndikojë direkt në pozicionin e skuadrës në tabelë.