Katalanasit pësuan 16 gola në 9 ndeshje në Champions

- Bota Sot

Katalanasit pësuan 16 gola në 9 ndeshje në Champions

Ky sezon i Champions League ka evidentuar një problem serioz të Barcelonës në repartin mbrojtës. Në vetëm 9 ndeshje të zhvilluara ekipi i Hansi Flick ka pësuar 16 gola në Evropë. Në kampionat situata shfaqet disi më mirë, ku katalanasit kanë pësuar 24 gola në 27 javët e para.

Barcelona vazhdon të përballet me një problem serioz në Evropë: mbrojtjen. Skuadra katalanase edhe në ndeshjen e fundit në “St James’ Park” kundër Newcastle vuajti në prapavijë dhe pësoi sërish gol, duke zgjatur një seri shqetësuese në Ligën e Kampionëve.

Duhet të kthehemi në prill të vitit 2025, hera e fundit kur Barcelona e mbajti portën të paprekur në këtë kompeticion.

Atëherë katalanasit fituan 4–0 ndaj Borussia Dortmund në ndeshjen e parë çerekfinale të luajtur në stadiumin olimpik “Montjuïc”. Që nga ajo sfidë, Barcelona ka pësuar gola në 12 ndeshje radhazi në Ligën e Kampionëve.

Edhe ky sezon nuk ka ndryshuar shumë situatën. Barcelona ka zhvilluar 9 ndeshje në Champions dhe në të gjitha ka pësuar gol. Në portë janë alternuar Szczesny dhe Joan García, por asnjëri nuk ka arritur të mbajë portën të paprekur.

Madje, edhe në ndeshje me shumë gola të shënuar, mbrojtja ka mbetur problem. Barcelona fitoi 6–1 ndaj Olympiacos dhe më pas 4–1 ndaj Copenhagen në “Montjuïc”, por edhe në këto sfida katalanasit pësuan gol. Në total, në 9 ndeshje të këtij sezoni në Champions, Barça ka pësuar 15 gola.

Ndërkohë, në kampionat situata është më e qëndrueshme për katalanasit. Në La Liga, Barcelona ka pësuar rreth 24 gola në 27 javët e para të sezonit, një mesatare më e mire krahasuar me atë në Evropë.



Read it all at Bota Sot