Paraqitja e fundit e portierit Antonin Kinski për Totenhemin ndodhi në tetor, në humbjen 2-0 ndaj Njukasëll në Kupën e Ligës.
Pothuajse gjashtë muaj më vonë, portierit çek iu dha papritur një shans në ndeshjen e parë të 1/8-ës së finales së Ligës së Kampionëve kundër Atletiko Madridit, por rikthimi i tij u shndërrua në një katastrofë.
Ekipi i Diego Simeones mori epërsinë 3-0 pas vetëm 15 minutash me golat e Marcos Jorente, Antuan Grizman dhe Julian Alvarez. Vetëm dy minuta pas golit të tretë, trajneri Igor Tudor vendosi të zëvendësonte Kinskin, i cili doli nga fusha duke qarë.
Ai u zëvendësua nga Vikario, portieri i rregullt i cili nuk kishte humbur asnjë ndeshje që nga humbja e lartpërmendur në kupë më 29 tetor. Vendimi për të bërë një zëvendësim kaq të hershëm u komentua nga portieri legjendar danez, Peter Shmajkëll, i cili e dënoi ashpër veprimin e Tudor në analizën për “CBS Sports”, duke thënë:
“Sa herë që emri i tij të përmendet në të ardhmen, e gjithë bota e futbollit do ta kujtojë këtë moment. Ata duhet t’i kishin qëndruar pranë, të paktën deri në pjesën e parë. Tudor ia shkatërroi plotësisht karrierën”, tha Shmajkëll.