Sulmuesi i Chelseat, Pedro Neto, ka kërkuar falje publikisht pasi shtyu një shërbyes të topave, gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve, kundër Paris Saint‑Germain.
Incidenti ndodhi në fund të ndeshjes në stadiumin “Parc des Princes”, kur Chelsea ishte duke humbur. Neto u përpoq të merrte shpejt topin për të rifilluar lojën, por në momentin e nxitimit e shtyu shërbyesin e topave, i cili u rrëzua pranë tabelave reklamuese. Veprimi shkaktoi reagime të ashpra nga lojtarët e PSG si dhe tension në fushë.
Ndeshja përfundoi me fitoren 5-2 të PSG-së ndaj Chelseat, në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.
Pas ndeshjes, Neto pranoi se reagimi i tij ishte i gabuar dhe kërkoi falje. Ai tha se veproi në nxehtësinë e momentit ndërsa skuadra e tij po humbiste. Futbollisti portugez u takua me shërbyesin e topave, i kërkoi falje disa herë dhe i dhuroi edhe fanellën e tij si gjest respekti.
Shërbyësi i topave nuk pësoi lëndime serioze dhe incidenti nuk u ndëshkua gjatë ndeshjes, megjithëse mund të shqyrtohet nga organet disiplinore.
Në këtë ndeshje dramatike, PSG shënoi pesë gola për të marrë një avantazh të madh, para ndeshjes së kthimit në Londër.