Sulmuesi i talentuar i Barcelonës, Lamine Yamal, nuk mori pjesë në stërvitjen e fundit të skuadrës për shkak të një shqetësimi të përgjithshëm fizik.
Klubi katalanas bëri të ditur se bëhet fjalë vetëm për një “gjendje të përgjithshme jo të mirë”, ndaj lojtari u la të pushojë si masë paraprake.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Hansi Flick u rikthye në stërvitje në qendrën sportive Ciutat Esportiva Joan Gamper për të nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Sevilla-s, e cila do të luhet të dielën
Përveç Yamal-it, trajneri gjerman kishte në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve të ekipit të parë. Në seancën stërvitore u bashkuan gjithashtu edhe disa futbollistë nga akademia, si Eder Aller, Tommy, Alvaro Cortés dhe Xavi Espart.
Sipas raportimeve nga “El Mundo Deportivo”, mungesa e Yamal-it në stërvitje nuk pritet të ndikojë në praninë e tij në ndeshjen e fundjavës. Talenti i ri ‘blaugrana’, që mban numrin 10 te Barcelona, pritet të jetë i gatshëm për përballjen me Sevilla-n.
Ndeshja e së dielës pritet të jetë një test i rëndësishëm për ekipin katalanas, jo vetëm për objektivat në kampionat, por edhe sepse në të njëjtën ditë do të zhvillohen zgjedhjet për presidentin e ri të klubit.