Një vjedhje e rëndë është raportuar mbrëmjen e 11 marsit 2026 në fshatin Patoqan i Ultë, në komunën e Rahovecit, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar në një shtëpi dhe kanë marrë një shumë të madhe parash dhe stoli ari.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në intervalin kohor 19:00–22:30, në kohën kur asnjë anëtar i familjes nuk ndodhej në shtëpi.
Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, hajnat kanë hyrë me forcë përmes një dritareje në pjesën e pasme të objektit.
Fillimisht kanë hyrë në katin përdhes, ku kanë demoluar një dhomë, ndërsa në një orman kanë gjetur dhe marrë një kasafortë, brenda së cilës sipas pronarit ndodheshin rreth 35 mijë euro para të gatshme.
Më pas, në dhomën e fjetjes në katin e parë, të dyshuarit kanë marrë edhe stoli ari – 13 lira, me vlerë të përafërt rreth 15 mijë euro. Pas kryerjes së vjedhjes, autorët janë larguar në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese të policisë, hetuesit dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për mbledhjen e provave.
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve janë në zhvillim.