E ardhmja e Nico Williams te Athletic Club raportohet se po shkon drejt fundit.
Sipas medieve spanjolle, klubi bask është i gatshëm të dëgjojë oferta për sulmuesin anësor.
“El Nacional”, shkruan se 23-vjeçari është kthyer në një ‘problem serioz’ për klubin, që tashmë nuk e përjashton mundësinë e largimit të tij gjatë verës që po vjen.
Verën e kaluar, Williams ishte shumë pranë transferimit te Barcelona, por në momentin e fundit vendosi të refuzojë ofertën dhe të rinovojë kontratën me Athletic Club. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar gjatë këtij sezoni.
Forma e lojtarit nuk ka qenë në nivelin e pritur, pasi në 19 paraqitje në La Liga ai ka realizuar vetëm katër gola dhe ka dhënë dy asistime.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit janë të gatshëm të shqyrtojnë oferta për sulmuesin spanjoll, madje edhe më të ulëta se klauzola e tij aktuale e lirimit, e cila kap vlerën e 95 milionë eurove.