Këto kërcënime me vrasjen e familjes, ankth, rrahje, qindra e mijëra kamata të ndryshme mujore për fajde, dyshohet se janë disa nga veprimet që i dyshuari Eduard Kaçinari i kishte ndërmarrë në një periudhë disavjeçare.
29-vjeçari Eduard Kaçinari dhe vëllai i tij Anton Kaçinari, 31-vjeçar, janë dy të arrestuarit që më pas u ndaluan me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit nën dyshimet për fajde e detyrim.
Dy vëllezërit nga Prizreni po akuzohen për fajde dhe detyrim, tregon dosja e Prokurorisë e siguruar nga Kallxo.
Kur viktima nuk mund të vazhdonte më me pagesat, i dyshuari i kishte kërkuar 350 mijë euro vetëm në emër të kamatave pa llogaritur borxhin bazë. Për ta paguar këtë shumë ai kërkon që viktima t’i japë lokalet dhe shtëpinë të cilat kanë vlerë rreth 1 milion euro.
Mirëpo për shkak se policia ishte duke përdorur masa të veçanta hetimore kishte ndërhyrë dhe Eduard Kaçinari u arrestua në flagrancë.
Me fjalët se “të vras familjen e edhe ty”, pretendohet se Eduardi i është drejtuar viktimës për një periudhë disavjeçare. Për të paguar kamatat Eduard Kaçinari pretendohet se e kishte kërcënuar viktimën me fjalët se “nëse e lajmëron rastin në polici, ta vras djalin, babën, vëllezërit dhe krejt familjen”, veprime këto të cilat dosja thotë se i përsëriti disa herë madje me raste të shpeshta me revole në dorë duke i bërë me dije se “unë mund të hy në burg, rri 3 – 4 vjet po kur të dal të vras ty dhe familjen sepse unë kam pare edhe dal nga burgu”.
Madje dosja përshkruan se kërcënimin e fundit viktima e kishte marrë më 08.03.2026 në orët e mbrëmjes, në bodrumin e shtëpisë së viktimës, i cili ndodhet poshtë lokaleve..
Sipas hetimeve, dy vëllezërit Anton Kaçinari dhe Eduard Kaçinari dyshohet se gjatë vitit 2025 në Prizren kanë vepruar së bashku me qëllim që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme para përmes kamatave shumë të larta, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dy viktimave.
Pasi viktima e parë, që u përshkrua në pjesën e Eduardit, nuk po arrinte më t’i përballonte pagesat e kamatave, ai kishte kërkuar ndihmë shokut të tij që t’i gjejë para.
Shoku, viktimë e dytë në rast, e njofton se nuk i ka paratë e tij, por mund t’i marrë me kamatë nga Anton Kaçinari. Në këtë mënyrë, viktima e dytë e rastit merr nga Antoni në disa raste shumën prej 80 mijë euro me kamatë mujore prej 10% dhe këto para ia dorëzon viktimës së parë.
Viktima që përshkruhet te rasti i Eduard Kaçinarit, për tetë muaj rresht paguan nga 8 mijë euro në muaj vetëm për kamata, që në total arrijnë 64 mijë euro. Këto para i dorëzohen Antonit përmes të dëmtuarit të dytë.
Kur viktima e parë nuk arrin më të vazhdojë me pagesat, ndërhyn Eduard Kaçinari. Ai kërkon 200 mijë euro në emër të kamatave që pretendohet se kanë mbetur nga paratë e marra përmes personit që kërkoi ndihmë viktima e parë, si dhe 350 mijë euro në emër të kamatave të tjera që pretendon se i detyrohet viktima e dytë. Në total kërkon 550 mijë euro vetëm për kamata.
Për ta paguar këtë shumë, Eduardi kërkon nga viktima e parë që t’ia kalojë në pronësi lokalet dhe shtëpinë e tij, të cilat vlerësohen rreth një milion euro.
Dy vëllezërit u arrestuan nga policia me urdhër të prokurorisë më 11.03.2026.
Dosja përshkruan edhe se gjatë vitit 2026 në Prizren, të pandehurit Anton Kaçinari dhe Eduard Kaçinari dyshohet se kanë përdorur forcë dhe kërcënime serioze ndaj viktimës së dytë për ta detyruar që të paguajë kamata për borxhet.
Pasi viktima nuk arrinte t’i paguante kamatat, të pandehurit ushtronin presion dhe e kërcënonin vazhdimisht. Në disa raste dosja thotë se vëllezërit Kaçinari e kanë rrahur me grushte dhe shqelma për ta detyruar të paguajë. Rasti i fundit i rrahjes, sipas përshkrimit, ka ndodhur më 05.03.2026.
Dy vëllezërit Kaçinari nuk janë të panjohur për organet e rendit. Ata kanë disa vepra penale të regjistruara nga policia dhe prokuroria.