Ndërsa bota po ndjek me shqetësim përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, me sulmet amerikano-izraelite ndaj Irani dhe kundërpërgjigje të këtij të fundit, dy vende të Ballkanit Perëndimor janë përmendur në disa media si objektiva të mundshme të sulmeve iraniane. Bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Kosovën, sipas raportimeve nga media kroate Jutarnji. Të dyja këto vende kanë qenë më parë shënjestër e sulmeve kibernetike nga Irani, çka ka ngritur shqetësime se një përshkallëzim i konfliktit mund të mos përjashtojë edhe forma të tjera sulmesh. Po ashtu mbështetja e Kosovës dhe Shqipërisë ndaj SHBA-së dhe Izraelit si dhe marrëdhëniet e mira mes Iranit dhe Serbisë, rrisin probabilitetit për sulme. Alarmi është shtuar edhe pas raportimeve për objektiva të goditura në Qipro dhe pasi NATO ka rrëzuar raketa iraniane mbi territorin e Turqisë.
Mbështetja për SHBA-në dhe Izraelin
Shqipëria dhe Kosova ishin ndër vendet e para që shprehën publikisht mbështetjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin pas nisjes së operacioneve kundër Iranit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një mesazh publik tha: Republika e Kosovës qëndron e palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në mbrojtjen e lirisë, paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Edhe kryeministri i vendit tonë Edi Rama ka theksuar se Shqipëria dënon me forcë sulmin me raketa balistike të regjimit Iranian, sidomos kundër Turqisë. “Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në ruajtjen e sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë”, deklaroi Rama.
Marrëdhënia Iran-Serbi
Ndryshe nga Tirana dhe Prishtina, Irani ka mbajtur marrëdhënie relativisht të mira me Serbinë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në një moment, në shenjë mirënjohjeje për qëndrimin e Teheranit kundër pavarësisë së Kosovës, Beogradi hoqi përkohësisht vizat për qytetarët iranianë. Por, arsyeja kryesore pse Shqipëria dhe Kosova përmenden si objektiva të mundshme lidhet me dy struktura të rëndësishme në territorin e tyre. Në Kosovë ndodhet baza amerikane Camp Bondsteel, baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në rajon. Ndërsa në Shqipëri ndodhet kampi Ashraf 3, ku jetojnë rreth 3 mijë anëtarë të opozitës iraniane të organizatës Mujahedin-e-Khalq.
Dy objektivat strategjikë për luftë
Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit është transferuan në Shqipëri në vitin 2013 me kërkesë të SHBA-së dhe OKB-së. Ata u vendosën në një kamp të posaçëm në zonën e Manzës, pranë Durrësi. Zyrtarisht u tha se ata nuk do të përfshiheshin në aktivitete politike, por Irani vazhdon ta akuzojë Shqipërinë se kampi përdoret si bazë për veprimtari kundër Republikës Islamike. Ndërkohë sa i përket rrezikut për sulm në Kosovë, në rrjetet sociale nga Serbia janë publikuar edhe koordinatat e bazës amerikane Bondsteel duke i kërkuar Iranit ta sulmojë atë. Madje janë përhapur teori konspirative sipas të cilave baza është përdorur për të lëshuar raketa drejt Iranit.
Sulmet kibernetike nga iranianët
Irani është akuzuar disa herë për sulme kibernetike ndaj Shqipërisë. Një nga incidentet më të mëdha ndodhi në shtator 2022, kur infrastruktura shtetërore shqiptare u godit nga një sulm i madh hakerimi. Në atë kohë Shqipëria mori ndihmë teknike nga SHBA dhe Izraeli për të përballuar situatën. Por historia u përsërit. Më 10 mars të këtij viti, pra vetëm pak ditë më parë, është regjistruar edhe një sulm i ri kibernetik ndaj sistemit parlamentar të Shqipërisë. Hakerët publikuan email-e të disa deputetëve dhe lanë mesazhin: “Nuk do t’i lejojmë ata që mbështesin terroristët e MEK-ut të flenë të qetë”.
Garancia e NATO-s
Megjithatë, autoritetet shqiptare i kanë minimizuar këto raportime. Kryeministri Edi Rama e cilësoi lajmin për një sulm të mundshëm iranian ndaj Shqipërisë si të pavlerë dhe keqdashës. Ai theksoi se anëtarësimi në NATO është garancia kryesore për sigurinë e vendit dhe se çdo sulm ndaj Shqipërisë do të përballej me reagimin e aleancës. NATO gjithashtu ka hedhur poshtë pretendime për sulme ndaj Kosovës si plotësisht të pavërteta dhe ka theksuar se forcat e saj në Kosovë, në kuadër të misionit KFOR, kanë kapacitete të mjaftueshme për të garantuar sigurinë në rajon. Aleanca ka bërë të ditur gjithashtu se për momentin nuk sheh arsye për të rritur më tej praninë ushtarake në Kosovë.