Një aksion i Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren ka çuar në arrestimin e tre personave të dyshuar për shitje të narkotikëve, ndërsa gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme droge, para dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për shpërndarje, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 12 mars 2026 rreth orës 23:00, në rrugën “Transit i Ri” në Prizren.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, hetuesit e DHTN-Prizren kanë ndaluar A. B, rreth 26-vjeçar, Sh.K, rreth 28-vjeçar dhe E. S., rreth 28-vjeçar, nën dyshimin se po merreshin me shitjen e substancave narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë.
Gjatë kontrollit trupor, te i dyshuari i tretë është gjetur një qese me marihuanë me peshë rreth 11 gram.
Pas autorizimit të prokurorit dhe me urdhër verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka kryer kontroll edhe në banesën që shfrytëzohej nga të dyshuarit, si dhe në një depo në korridor, e cila është hapur me çelësin që kishte njëri nga të dyshuarit.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale:
6 qese me marihuanë me peshë totale 65.3 gram
3 qese me kokainë me peshë 20.2 gram
një peshore digjitale
qese për paketim të narkotikëve
1740 euro para të gatshme
Sipas burimeve, vlera e drogës në tregun e zi arrin rreth 2000 euro.
Të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e DHTN në Prizren, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, është caktuar masa e ndalimit për të tre të dyshuarit.
Në lidhje me këtë rast, hetuesit kanë arrestuar edhe një person tjetër me inicialet Y.L., i cili dyshohet se kishte blerë kokainë nga të dyshuarit. Ky rast i është referuar për trajtim Stacionit Policor Prizren-Veri.
Hetimet për rastin janë duke u zhvilluar nga Njësia e DHTN në Prizren.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.