Gjiganti spanjoll i futbollit Valencia ka publikuar në rrjetet sociale ecurinë e punimeve në stadiumin e ri, “Nou Mestalla”.
Klubi, gjashtë herë kampion i Spanjës dhe tetë herë fitues i Kupës së Mbretit, mezi pret të zhvendoset në stadiumin modern, ndërsa aktualisht skuadra ndodhet në mes të tabelës në La Liga.
Pas përfundimit të ndërtimit, klubi do të largohet nga shtëpia e tij aktuale, “Mestalla Stadium”. Stadiumi legjendar do të shembet dhe në vendin e tij planifikohet të ndërtohet një kompleks banimi dhe biznesi.
Shtëpia e re e klubit do të jetë në lagjen Benicalap, rreth tre kilometra në veriperëndim të stadiumit aktual.
“Nou Mestalla” do të ketë një kapacitet prej 70,044 spektatorësh, ndërsa kostoja totale e ndërtimit vlerësohet rreth 350 milionë euro. Sipas njoftimeve, stadiumi pritet të jetë një ndër objektet më spektakolare dhe më moderne në Evropë dhe në botë.